STUDIM RASTI
Ndriçimi i lagjes për një të ardhme më të mirë
Të rinjtë e lagjes shumëetnike u vënë në krye të aktiviteteve për të ndriçuar një lagje të errët dhe për të përmirësuar gjendjen e sigurisë

“Meqë rruga tani është e ndriçuar, ne ndihemi më të sigurt. Të rinjtë e kësaj lagjeje mund të shoqërohen më shumë në mes vete edhe pas perëndimit të diellit; të moshuarit kanë filluar të dalin të shëtisin në mbrëmje.”
Të rinjtë e lagjes shumëetnike në Mitrovicë erdhën në përfundim që ndriçimi i dobët në këtë rrugë paraqet mangësi serioze për kualitetin e jetës në lagjen e tyre. Së bashku me USAID-in, ata arritën të instalojnë nëntë llamba rrugore dhe t’i riparojnë nëntë llamba ekzistuese, duke i mundësuar kështu të rinjve dhe të moshuarve të dalin në rrugë edhe në orët e mbrëmjes.
Jeta ishte e vështirë dhe e frikshme në rrugët e errëta të lagjes shumëetnike të Mitrovicës. Me rënien e muzgut, fëmijët e lagjes “Kodra e Minatorëve” strukeshin brenda, të frikësuar nga ajo që mund të fshihej në çdo kënd të errët. Siguria në këtë lagje të rënduar nga varfëria tashmë ishte bërë një problem i vërtetë dhe errësira vetëm sa e përkeqësonte këtë gjendje dhe e kufizonte lëvizshmërine e popullatës.
Në punëtorinë dy-ditore të USAID-it, e cila u mbajt në Strugë, Maqedoni, një grup i të rinjve shqiptarë dhe serbë nga Kosova të cilët jetojnë në këtë lagje propozuan një zgjidhje: thjesht të instalonin më shumë llamba në rrugë, në mënyrë që të përfitonin më shumë se 1,300 banorë të kësaj lagjeje. Të rinjtë u treguan të gatshëm të vihen në krye të projektit, duke i shfrytëzuar shkathtësitë të cilat i kishin mësuar në Programin e USAID-it, për Mbështetjen e Liderëve të Rinj në Kosovë.
Më një grant prej €830 nga Programi për Mbështetjen e Liderëve të Rinj në Kosovë (SKYL) si dhe një grant tjetër €280 nga komuniteti, u instaluan nëntë llamba të rrugëve dhe u rregulluan nëntë llamba të tjera ekzistuese. Me anë të kësaj iniciative, rinia arriti t’i afrojë banorët e lagjes me njëri-tjetrin. “Meqë rruga tani është e ndriçuar, ne ndihemi më të sigurt. Të rinjtë e kësaj lagjeje mund të shoqërohen më shumë në mes vete edhe pas perëndimit të diellit; të moshuarit kanë filluar të dalin të shëtisin në mbrëmje,” theksoi njëri nga liderët e rinj, i cili u prezantua vetëm si Aleksandri.
Suksesi i këtij projekti e ka rritur vetë-besimin dhe motivimin e të rinjve dhe komunitetit, në përgjithësi. “Rinia jonë ka pasur mundësi të shkojë në disa trajnime të organizuara nga disa OJQ, por ky projekt paraqet diçka konkrete, thotë Nebojsa Maric, lider i komunitetit dhe Drejtor i OJQ-së “First Step”, e cila paraqet OJQ-në e parë vendore të kyçur në këtë projekt, “Trajnimi i të rinjve si të udhëheqin dhe të bëhen liderë paraqet një gjë të mrekullueshme, thotë ai. “Ata filluan me një ide të thjeshtë dhe në fund, arritën ta implementojnë tërë projektin.”
Zëvendës Drejtori, Nexhat Imeri shtoi: “Ky projekt do të ofrojë mundësi të mira për aktivitetet e tjera të përbashkëta në mes të serbëve dhe shqiptarëve si dhe komuniteteve të tjera, të cilat jetojnë në lagjen “Kodra e Minatorëve” në veri të Kosovës. E ardhmja jonë do të jetë më e ndritshme me liderët tanë të rinj.”