ANALIZË E DETAJUAR E NJË TREGIMI
Ndihmë e cila zgjat edhe kur dhuruesit e ndihmës largohen
Ndihmë për strehimoret ku janë të vendosura viktimat e trafikimit me qenie njerëzore dhe të formave të tjera të shfrytëzimit, në mënyrë që këto viktima të bëhen të pavarura në aspektin financiar

Kiosk i financuar nga USAID-i në qendër të Gjakovës, ku banoret e strehimores shesin mjaltë dhe produkte të freskëta në mënyrë që të jenë në gjendje t’i mbulojnë shpenzimet e strehimores
“Serra, kiosku, bletët, mjalti, sallatat dhe lulet I kanë tejkaluar pritjet tona dhe kanë mundësuar që strehimorja jonë të forcohet në aspektin financiar.”
(Sakibe Doli, Drejtoreshë e “Shtëpisë së Sigurt” në Gjakovë)
Dy projekte ndërmarrëse, të cilat u inicuan me kontributin e USAID-it, do të ndihmojnë që dy strehimoret e hapura për viktimat e trafikimit me qenie njerëzore dhe formave të tjera të dhunës në Kosovë të vazhdojnë të funksionojnë edhe kur t’i vie fundi financimit ndërkombëtar. Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) e ka mbështetur hapjen e strehimores në Gjilan (të hapur në vitin 2003) dhe në Gjakovë (të hapur në vitin 2000) për të luftuar problemin serioz të trafikimit me qenie njerëzore në rajon. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit si dhe organizatave ndërkombëtare, Kosova është vend i burimit, tranzitit dhe destinacionit të trafikimit të femrave dhe fëmijëve përtej kufijve kombëtarë, kryesisht për qëllime të shfrytëzimit seksual.
Që nga hapja e strehimores “Shtëpia e Sigurt” në Gjakovë, 789 viktima kanë gjetur strehim në të. Në rastin e strehimores “Liria” në Gjilan, numri i viktimave ka arritur në 945. Problem i madh për të dy strehimoret ka qenë si të gjendet një mënyrë që ato të mund të funksionojnë pa ndihmën e askujt. USAID-i, në bashkëpunim me IOM-in, duket se e ka gjetur mënyrën optimale për ta zgjidhur këtë problem.
USAID-i ka siguruar një grant për të ndërtuar një serrë të vogël afër strehimores në Gjakovë dhe për të blerë katër zgjoje bletësh. Dy viktima punojnë në serrë dhe me bletë për një pagë të vogël, me mbështetjen e vullnetarëve. Lulet, perimet dhe mjalti shiten në kiosk, në të cilin punojnë dy banuese të mëhershme të strehimores. Në Gjilan, një grant i USAID-it i ka ndihmuar strehimores “Liria” të hapë një lokal të fotokopjimit dhe printimit, kurse komuna e ka siguruar hapësirën e vogël për hapjen e biznesit të ri.
Bizneset e vogla sjellin të ardhura për strehimoret dhe ofrojnë trajnime për punë për viktimat. Gjer më tani, biznesi i hapur në Gjilan nuk ka arritur të sigurojë të ardhura të mjaftueshme për t’i mbuluar shpenzimet e tërësishme të strehimores por ka arritur t’i mbulojë pagat e punëtorëve. Në anën tjetër, biznesi në Gjakovë siguron të ardhura të mjaftueshme për pagat e punëtorëve, mbulon një pjesë të shpenzimeve për funksionimin e strehimores si dhe siguron një fond rezervë për t’i mbuluar shpenzimet e paparashikueshme. Strehimorja në Gjakovë është në rrugë të mirë për të funksionuar në këmbë të veta. A dëshironi të dini sa ka qenë shuma e grantit të USAID-it për këto dy biznese? Përgjigja është vetëm 15,000 $ për secilin projekt!