skip navigation, go to main content
USAID KOSOVË logo
10 vite më pas: Pavarësia e Kosovës

Sfida

Kosova ka shpallur pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008 duke filluar kështu një kapitull të ri pas pothuajse 10 vitesh të administratës së UNMIK-ut që pasoi ndërhyrjen e NATO-së në vitin 1999. Sfidat e menjëhershme të Kosovës janë të ndërlidhura me krijimin e kapacitetit të institucioneve të saj qeverisëse, që i mundëson asaj integrimin në strukturat europerëndimore dhe tanslatlantike, njëkohësisht duke bërë mbrojtjen dhe integrimin e pakicave, veçanërisht të serbëve të Kosovës.

Kjo është sfidë afatgjatë. Qeverisja efektive dhe transparente e rrënjosur fuqishëm në parimin e sundimit të ligjit dhe mbështetja sektorit të qëndrueshëm privat është çelës për adresimin e problemeve kryesore në dekadën e ardhshme: rritja ekonomike për të krijuar vende pune për popullsinë e re e cila është në rritje e sipër dhe e cila përballet me shkallë të papunësisë e cila vlerësohet të jetë rreth 45%; fitimi i besimit të popullsisë në drejtësinë dhe shpejtësinë e reagimit nga institucionet përkundër perceptimeve aktuale për mungesë të efikasitetit dhe përfshirjes së tyre në korrupsion, dhe pjesëmarrja e plotë në jetën ekonomike, politike dhe sociale të Kosovës nga të gjithë qytetarët e saj përkundër ngurrimit të pakicave, në veçanti serbëve të Kosovës, për t’u angazhuar në institucionet e Kosovës.

Përgjigja inovative

Pas adresimit të nevojave të menjëhershme humanitare të paskonflikti sa i përket strehimit, ushqimit dhe kujdesit për nevojat themelore të një numri shumë të madh të personave të zhvendosur si rezultat i konfliktit, USAID-i ndihmoi në themelimin e institucioneve qeverisëse, ku vlen të theksohet Ministria e Ekonomisë dhe Financave. Fillimisht USAID-i vendosi stafin teknik në çdo nivel të institucioneve të Kosovës. Përderisa puna kryesore për të themeluar këto institucione të rëndësishme qeverisëse u përfundua me sukses, USAID-i vazhdon të ofrojë këshilla teknike në disa nga fushat e rëndësishme përfshirë politikën financiare, fuqizimin e gjyqësorit dhe energjinë.

“Kosovarët shpeshherë i referohen USAID-it si “ora e mikut”, tha Patricia Rader, Drejtoreshë e Misionit të USAID-it në Kosovë. “USAID-i ka marrëdhënie të veçantë me partnerët tanë kosovar, gjë që ofron mundësi unike dhe bart përgjegjësi të veçanta”.”

Përveç ndihmës në themelimin e strukturave qeverisëse, USAID-i punon në tandem me misionin e ShBA-ve për t’i kontribuuar sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës. Programet e USAID-it kanë ndihmuar në rehabilitimin dhe ndërtimin e infrastrukturës, kanë angazhuar të rinjtë dhe kanë mbështetur bizneset në viset e banuara nga popullsia pakicë në Kosovë. Sot këto programe përqendrohen në mbështetjen e stabilitetit duke ngritur besimin e serbëve të Kosovës në të ardhme të suksesshme në Kosovë përmes programeve të përqendruara në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe sigurisë.

Rezultatet

Kosova tani është shtet i pavarur që punon në drejtim të integrimit evropian. Institucionet e reja qeveritare dhe themelet e sistemit gjyqësor janë ndërtuar me ndihmë të madhe nga USAID-i dhe donatorët tjerë. Tani USAID-i ka kaluar nga krijimi i ministrive ekonomike dhe agjencive të pavarura në forcimin e aftësive të këtyre organizatave publike për të menaxhuar ekonominë e përgjithshme.

Gjer më tani USAID-i ka qenë i përfshirë në krijimin e funksioneve themelore të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, duke vendosur procese moderne buxhetore dhe të thesarit, administratën tatimore e cila deri më tani ka mbledhur mbi 1 miliardë euro tatime, kornizën themelore ligjore për funksionimin e ekonomisë së tregut, ndihmuar në themelimin e Bankës Qendrore dhe sektorit bankar me 6 banka të licencuara që është duke shënuar rritje të shpejtë, ndihmuar në privatizimin e 90% të ndërmarrjeve shoqërore, dhe në zbatimin e Tatimit në Pronë që kontribuon në rreth 30% e të hyrave vetanake komunale.

Që nga viti 1999 USAID-i punoi që të zhvillojë sektorin privat me synim të rritjes së shitjes dhe punësimit për rritjen afatgjatë të ndërmarrjeve lokale, zvogëlimin e mbështetjes në importe dhe zhvillimin e mjedisit më të mirë për punën e bizneseve.

Gjatë katër viteve të fundit, nismat e USAID-it kontribuuan në krijimin e 6,676 vendeve të reja të punës, rritje të shitjes në vlerë prej 141 milionë euro, investime kapitale prej 1 milionë euro dhe financim prej 22 milionë euro.

USAID-i vazhdon të përfshihet në aktivitetet e zhvillimit të sektorit privat, në sektorët e caktuar për të cilët ka potencial të rritjes. Përpjekjet janë në vazhdim e sipër për të ndihmuar ndërmarrjet që të futen në tregjet e reja, të zhvillojnë produkte dhe procese të reja dhe të avancojnë aftësitë dhe produktivitetin e punëtorëve.

USAID-i është krenar për kontributin në të arriturat e Kosovës gjatë këtyre dhjetë viteve. Kosova është duke u bërë çdo ditë e më stabile pasi që Qeveria e Kosovës, me mbështetje nga USAID-i, arrin te pakicat për të krijuar besimin e tyre në të ardhmen prosperuese dhe të sigurt në Kosovë.

Në rrafshin afatmesëm, Kosova është në rrugën e saj drejt integrimit Evropian, ku shqetësimet e saj sa i përket stabilitetit politik, paqes dhe sigurisë janë duke shënuar progres drejt zgjidhjes dhe ajo tashmë nuk varet më nga prania e madhe ndërkombëtare. E dimë se ekonomia e fortë që ofron vende pune për të diplomuarit dhe qeverisje, e cila perceptohet si e drejtë, e hapur dhe llogaridhënëse, do të shtojë gjasat për arritjen e shoqërisë stabile dhe shumetnike që funksionon për të gjithë qytetarët e saj.

Kliko këtu për të lexuar biografinë e drejtoreshës së USAID-it në Kosovë
 
E azhurnuar së fundi me: October 20, 2011